Valon Jaha e nis mbrotjen e titullit
V

Valon Jaha e nis mbrotjen e titullit

Më pak se dy javë kanë mbetur deri në fillim të Kampionatit të Kosovës në automobilizëm, me garën e parë në disiplinën e auto sllallomit, që mbahet në Ferizaj.

Kampioni aktual, specialisti i kësaj disipline, Valon Jaha, e nis kampionatin me synimin për paraqitje të mira dhe pse jo, edhe mbrojtjen e titullit.

“Do të jem pjesëmarrës i garës në Ferizaj. Shpresoj të jetë garë e mirë, me numër të kënaqshëm të pjesëmarrësve dhe me rivalitet. Synimi im është të kem paraqitje të mirë, jo vetëm në këtë garë, por edhe në ato në vazhdim”, ka thënë Jaha për AutoPortali.com.

Jaha edhe sivjet do të paraqitet me BMW e tij, të cilës duket se ia “ka marrë dorën” në mënyrën më të mirë.

“Do të garoj me të njëjtën veturë, por me investime të vazhdueshme. Jam i vetëdijshëm se konkurrenca do të jetë e fortë, por unë jam optimist për rezultate të mira dhe shpresoj që edhe sivjet të shpallem kampion në disiplinën e auto sllallomit”, është shprehur anëtari i Prishtina Racing Team.

Në vitin e kaluar ai shkëlqeu edhe në disiplinën malore, duke u shpallur kampion në Grupin 4 të kampionatit FIA CEZ.

TË FUNDIT