Pas pauzës dy-vjeçare, Valon Rexhepi do të jetë përsëri pjesë e garave në Kampionatin e Kosovës, konkretisht në disiplinën malore.
Anëtari i Eurogoma Racing Team, tashmë është gati për sfidat e reja, në të cilat do të hyjë me Opel Astra H 2.0 Turbo.
“Përkundër dëshirës sime, kam munguar në dy kampionatet e kaluara, por tani jam gati dhe mezi po e pres fillimit e kampionatit”, ka thënë Valon për AutoPortali.com.
Sivjet, ai do të garojë me Opel Astra dhe synon të arrijë rezultate të mira.
“Kam punuar me shumë përkushtim në përgatitjen e veturës, e cila tashmë është gati. Shpresoj të kem edhe fat dhe synimi im është të kem rezultate të mira, si në kampionatin vendor, po ashtu edhe në FIA CEZ. Sigurisht që konkurrenca do të jetë e fortë, por pikërisht këtu është kënaqësia e garës”, ka shtuar Rexhepi.

Kampionati i sivjetmë i Kosovës në automobilizëm fillon më 27 prill me garën në disiplinën auto sllallom, e cila mbahet në Ferizaj, ndërsa gara e parë në disiplinën malore është “Grashtica 2025”, më 8 qershor.



