Shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton, pas pesë garash në sezon, nuk ka arritur as të ngjitet në podium, e lëre më të fitojë ndonjë garë.
Hamilton e ka regjistruar një fitore, por ajo ka qenë në garën sprint që u zhvillua në Kinë.
Deri tani, Hamilton ka grumbulluar vetëm 31 pikë dhe në renditjen e përgjithshme është vetëm në vendin e shtatë, pas të riut Kimi Antonelli, i cili ndodhet para Lewisit.
Megjithatë, shefi i ekipit të Ferrarit, Frederic Vasseur, theksoi se ai beson te Hamilton dhe është i gatshëm ta mbështesë plotësisht.
“Unë jam 2000 për qind pas tij dhe i jap mbështetje të madhe. Që nga mëngjesi i nesërm do të kërkojmë zgjidhje për të qenë më të mirë”, tha Vasseur.
“Sinqerisht, nuk jam shumë i shqetësuar. Nëse shikoni çfarë kemi bërë, për shembull në garën e Bahreinit, potenciali i makinës është aty”, ka shtuar numri një i Ferrarit.



