Shefi i Ferrarit, Frederik Vasseur, më në fund është shprehur pas një sërë problemesh në skuadra e tij.
Vasseur ka thënë se njerëzit duhet të qetësohen pas kritikave të shumta të drejtuara ndaj Lewis Hamiltonit dhe skuadrës së tyre.
Hamilton fitoi në garën sprint në Kinë, e vetmja paraqitje e mirë e tij te Ferrari deri tani, ndërsa shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 përgjithësisht ka pasur një ritëm më të dobët se shoku i skuadrës, Charles Leclerc.
Lewis është bashkuar me Ferrarin pas një periudhe 12-vjeçare te Mercedesi, dhe është e qartë se do t’i duhet pak kohë për t’u ambientuar në një mjedis të ri. Për më tepër, të gjithë tashmë kanë sytë nga viti 2026, kur hyjnë në fuqi rregulloret e reja.

“Mua nuk më intereson nëse bëhet fjalë për Lewisin, Charlesin apo Carlosin vitin e kaluar. Ne punojmë për të bërë gjërat më të mira për pilotët tanë dhe përpiqemi të gjejmë balancën e duhur për makinat e tyre. Të dyja makinat i zhvillojmë në të njëjtën mënyrë. Njerëzit ndoshta ishin shumë entuziastë pas sprintit në Kinë, por tani duhet të qetësohen. Kemi një makinë të re, nuk kemi sjellë asgjë nga viti i kaluar, ndaj po e kemi pak të vështirë të gjejmë rregullimet e duhura. Kjo është jeta e çdo skuadre në Formula 1,” tha Vasseur.

Ai thekson se shpirtërisht ekipi nuk është dorëzuar.
“Ndonjëherë diferenca është vetëm një e dhjeta e sekondës, ndonjëherë ndjen se je afër dhe në fakt nuk është edhe aq keq. Duhet të qëndrojmë të përqendruar, fillimisht te gara e ardhshme, pastaj te të gjitha garat e tjera. Gjëja pozitive është që po funksionojmë si një ekip. Të dy pilotët po ecin në të njëjtin drejtim, atmosfera është e mirë dhe kjo do të na ndihmoj shumë”, shpjegoi njeriu i parë i Ferrarit.



