Pas dy garash me podium nga Charles Leclerc, Ferrari pati një fundjavë të zbehtë në Çmimin e Madh të Kanadasë, duke u renditur në vendin e pestë me Leclerc dhe të gjashtin me Lewis Hamilton.
Megjithëse përfituan nga incidenti i Lando Norris, Ferrari ngjitet në vendin e tretë në renditjen e konstruktorëve, 16 pikë pas Mercedesit dhe 191 nga McLaren.
“Është e qartë që kemi nevojë për përditësime. Nuk e di pse nuk po vijnë, por shpresoj të ndodhin shpejt”, ka thënë Hamilton.
Këto fjalë dallojnë nga ato të shefit të Ferrarit, Frederic Vasseur, i cili tha: “Risitë nuk janë problemi kryesor. Makina funksionon, por duhet të kemi një fundjavë pa gabime”.
Hamilton, që pati një problem pas përplasjes me një gropë në pistë, shtoi: “S’kemi makinë për kampionatin. Duhet të përqendrohemi në vitin tjetër. Ka shumë ndryshime për t’u bërë, por për momentin po përpiqem të ndikoj pozitivisht në drejtimin e ardhshëm të ekipit”.



