Vdes vrapuesi i njohur britanik i maratonës në moshën 114 vjeçare
V

Vdes vrapuesi i njohur britanik i maratonës në moshën 114 vjeçare

Fauja Singh, vrapuesi i njohur britanik me origjinë indiane dhe i konsideruar si njeriu më i vjetër që ka përfunduar një maratonë, ka ndërruar jetë në një aksident rrugor në Punjab të Indisë, në moshën 114-vjeçare.

Sipas mediave angleze, Singh u godit nga një makinë teksa po kalonte rrugën në fshatin e tij të lindjes, Beas Pind, pranë Jalandharit, transmeton AutoPortali.

Vdekja e tij u konfirmua nga klubi i tij i vrapimit në Londër, Sikhs In The City, i cili njoftoi se aktivitetet e ardhshme do të jenë një festë e jetës dhe arritjeve të tij.

Singh, ka jetuar në Ilford, Londër, që nga viti 1992, u bë i famshëm për performancat e tij të jashtëzakonshme në maratona, duke thyer rekorde në kategori të ndryshme moshe.

Ai filloi të vraponte në moshën 89-vjeçare dhe përfundoi maratonën e parë në Londër me kohën 6:54 orë.

Në vitin 2003, përfundoi Maratonën e Torontos në 5:40 orë, ndërsa në 2011, në moshën 100-vjeçare, u bë njeriu i parë i kësaj moshe që përfundoi një maratonë të plotë, një arritje që u cilësua “frymëzuese” nga Libri i Rekordeve Guinness, por nuk u certifikua zyrtarisht për mungesë dokumentacioni të lindjes.

Singh ishte mbajtës i pishtarit olimpik për Lojërat e Londrës 2012 dhe u tërhoq nga garat në moshën 101-vjeçare. /AutoPortali

TË FUNDIT