Legjenda amerikane e tenisit, Venus Williams, është rikthyer me fitore në fushë pas 16 muajsh mungesë, duke shënuar sukses në çifte në turneun “Washington Open”.
Fituesja e shtatë Grand Slam-eve, tashmë 45 vjeçe, kishte munguar që nga “Miami Open” në mars të vitit 2024, ndërsa fitoren e fundit e kishte shënuar në “Cincinnati Open” në gusht 2023, shkruan AutoPortali.
Ajo mori pjesë në Washington me ftesë të veçantë nga organizatorët.
Në dyshe me Hailey Baptiste, Venus triumfoi bindshëm ndaj Eugenie Bouchard dhe Clervie Ngounoue me rezultat 6:3, 6:1.
“Ishte inspiruese të isha sërish në fushë,” u shpreh Williams për Sky Sports. “E dua këtë lojë dhe ende godas fort.”
Venus, së bashku me motrën e saj Serena, ka qenë ndër figurat më dominuese në historinë e tenisit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin botëror. /AutoPortali



