Pavarësisht se triumfgoi me Red Bull në garën e mbajtur në Suzuka të Japonisë, Max Verstappen ka ironizuar duke thënë se po tëp kishte një makinë McLaren, rivalët as nuk do ta shihnin fare.
“Kur arrita në Suzuka, nuk prisja aspak të fitoja, e sidomos pas së premtes,” deklaroi Verstappen për Viaplay pas garës.
“Nisja nga pole ishte më e rëndësishmja këtë fundjavë. Mendoj se McLaren ishte më i shpejtë, por nuk arritën të hynin në zonën DRS për të tentuar një parakalim,” vazhdoi katër herë kampioni i botës.
I pyetur nëse fitorja i dedikohet më shumë talentit të tij sesa performancës së Red Bull-it, Verstappen ishte i qartë.
“Jam shumë i lumtur me atë që po bëj, nuk dua as të mendoj sikur të isha në atë makinën tjetër (duke iu referuar McLaren-it). Atëherë s’do më kishit parë fare,” u shpreh ai.
Pavarësisht se kjo ishte fitorja e tij e parë për vitin 2025, që e afron në vetëm një pikë nga Lando Norris në kampionat, Verstappen u tregua i kujdesshëm në parashikimet për garën e ardhshme në Bahrein.
“Ishte një rezultat i shkëlqyer, por është e vështirë të parakalosh në Suzuka dhe kualifikimi ishte vendimtar për fitoren time,” pranoi ai. “Kjo nuk do të thotë që tani gjithçka është mrekulli dhe se do t’i fitojmë të gjitha garat, por mund të jemi shumë të kënaqur,” përfundoi Verstappen.



