Volkswagen do të ndalojë prodhimin e modelit Touareg në vitin 2026, duke mbyllur një nga emrat më luksozë të markës. Burime të brendshme konfirmojnë për Autocar se SUV-i do të zëvendësohet nga Tayron, i cili do të bëhet modeli më i madh i VW në Mbretërinë e Bashkuar.
I prezantuar në vitin 2002 dhe ndarë me Porsche Cayenne origjinale, Touareg kishte një mision të dyfishtë: të ndihmonte Porsche-n në hyrjen në botën e SUV-ëve dhe të përmbushte ambicien e Ferdinand Piëch për ta ngritur markën Volkswagen në segmentin premium, shkruan Autocar, transmeton AutoPortali.
Largimi i Touareg pasqyron ndryshimin e fokusit te VW, që tani përqendrohet te modelet më të aksesueshme si Tayron, i cili ofrohet në variante me dy ose tre rreshta, ka kapacitet tërheqjeje deri në 2500 kg dhe një interier më të gjithanshëm.
Së bashku me Touareg, VW do të tërheqë edhe modelin elektrik ID.5 deri në vitin 2027. I prezantuar në 2021 si një version kupe i ID.4, ID.5 nuk arriti të fitojë popullaritet as në Kinë dhe as në Evropë, dhe nuk u shit kurrë në SHBA.
Gjithashtu, kompania ka pezulluar planet për një MPV elektrik të vogël, të përmendur si “mini Buzz”, i cili do të pasonte modelin Touran. Sipas burimeve të brendshme, prioriteti aktual i kompanisë janë modelet crossover dhe SUV, duke reflektuar kërkesën e tregut. Për më tepër, kapaciteti i kufizuar inxhinierik në qendrën R&D të Volkswagen në Braunschweig po fokusohet në projekte më kritike – si versioni elektrik i Golf-it.



