Kampionati Botëror i Rally-t (WRC) ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në kalendarin e vitit 2026, me synimin për të shtuar një garë të dytë në rajonin Azi/Paqësor.
Në kuadër të këtij riorganizimi, Rally Japonia zhvendoset nga nëntori në maj, ndërsa Rally Italia do të mbahet në tetor si gara parafundore. Ky ndryshim lejon vendosjen e mundshme të një gare tjetër në rajon, pa ndërhyrë në logjistikën e transportit detar për vitet në vijim.
WRC është aktualisht në bisedime me Indonezinë, Australinë, Zelandën e Re dhe Kinën për të caktuar garën e dytë në këtë rajon. Një njoftim zyrtar për kalendarin e vitit 2027 pritet së shpejti, ndërsa diskutimet për zgjerimin në 15 gara në sezon janë në vazhdim me prodhuesit dhe ekipet.
Sa i përket garës në Itali, ndonëse është publikuar si garë në terren me zhavorr (duke sugjeruar Sardenjën), mundësia për ta zhvendosur në Romë mbetet e hapur, në varësi të propozimeve dhe miratimit nga FIA.

Ndërkohë, është konfirmuar se finalja e sezonit në Arabinë Saudite këtë vit do të zhvillohet nga e mërkura në të shtunë, për të përputhur me fundjavën arabe dhe për të tërhequr më shumë publik lokal.



