Një nga lojtarët më të mirë në La Liga, Lamine Yamal, ka dhënë një intervistë për gazetën “Mundo Deportivo”, ku ai ka folur mes të tjerave edhe për polemikat rreth gjyqtarëve.
Reali, Barcelona, Atletico e Madridit dhe të tjera klube në La Liga, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për gjyqtarët, të cilët si reagim kanë kërcënuar me bojkot, nëse akuzat ndaj tyre nuk ndalen.
“Mendoj se klube si Barcelona, Realit i Madridit dhe Atletico nuk mund të protestojnë për gjyqtarët. Nuk është në staturën dhe në madhështinë e këtyre klubeve të merren me gjyqtarët”, shtoi ai.
Në intervistën e tij, Yamal ka folur dhe për rinovimin e mundshëm që pritet në korrik, pasi të ketë mbushur 18 vjeç. Po ashtu ai u pyet nëse do të mendonte transferimin te Reali nëse do të kishte një ofertë.
“Po sikur Real Madrid të më bëjë një ofertë? E pamundur, nuk do të shkoja asnjëherë atje. Ndihem rehat këtu, që është gjëja më e rëndësishme. Të flasësh për yje apo jo yje, në fund të fundit është të luash, të tregosh se çfarë je. Nuk është e nevojshme të ndihesh si yll, superior apo inferior. Nuk është e nevojshme. E rëndësishme është të ndihesh rehat, të luash për skuadrën dhe të të ndihmojnë shokët e skuadrës. Kaq mjafton”, është shprehur Yamal.

“Përsa i përket rinovimit, jam i qetë dhe ju duhet të prisni korrikun për ta mësuar. Nuk dua të mendoj për këtë takim. Në fokus janë objektivat sportivë. Kemi Ligën, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit. Jemi plotësisht në garë për të tri trofetë dhe do të bëjmë gjithçka për t’i shkuar deri në fund”.
Në intervistën e tij me rastin e 100 ndeshjeve si profesionist mes Barçës dhe Kombëtares spanjolle, Yamal ka folur dhe për shumë tema të tjera. Ai është ngacmuar për sulmuesit që e intrigojnë më shumë, ku ai nuk ka lënë pa përmendur idhullin e tij Neymar.
“Musiala, Nejmar dhe Savinho janë tre sulmues që më frymëzojnë më shumë dhe do të doja të luaja me ta”, deklaroi spanjolli 17-vjeçar.



