Lamine Yamal (17 vjeç) vazhdon të shkruajë historinë me Barcelonën. Në fitoren e vështirë ndaj Alaves (1-0), talenti i ri katalanas ishte një nga lojtarët më të spikatur në fushë, duke treguar aftësitë e tij të jashtëzakonshme në driblim.
Nga momentet më të komentuara ishte një aksion i tij i jashtëzakonshëm, ku la pas pesë mbrojtës, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë e veçantë për t’i dribluar kundërshtarët me lehtësi.
Sipas të dhënave të “Opta”, Yamal ka thyer një rekord historik të Lionel Messit në La Liga. Ylli i ri katalanas e përfundoi ndeshjen ndaj Alaves me 11 driblime të suksesshme nga 21 të tentuara, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të Messit, i cili kishte realizuar 10 driblime nga 20 tentime në një ndeshje ndaj Mallorca, në vitin 2007.

Pas kësaj super paraqitjeje, Lamine Yamal e forcoi edhe më shumë pozitën e tij si dribluesi më i mirë në La Liga këtë sezon, duke regjistruar 73 driblime të suksesshme. Ai kryeson listën përpara Dodi Lukebakio të Sevilla (64 driblime) dhe Kylian Mbappe të Real Madridit (46 driblime).



