Zbulohen detaje të panjohura të aksidentit! Pas 13 vitesh heshtje, flet piloti i helikopterit që shpëtoi Schumacherin
Z

Zbulohen detaje të panjohura të aksidentit! Pas 13 vitesh heshtje, flet piloti i helikopterit që shpëtoi Schumacherin

Kanë kaluar pothuajse 13 vjet nga aksidenti që ndryshoi përgjithmonë jetën e Michael Schumacherit, i cili pësoi lëndime të rënda në kokë gjatë një aksidenti me ski në Alpet franceze.

Tani, piloti i helikopterit që e transportoi legjendën e Formula 1 nga Meribel në spitalin e Moutiers dhe më pas në klinikën universitare në Grenoble, ka rrëfyer detaje nga operacioni i shpëtimit.

Yannick Dainese, piloti i atëhershëm i shërbimit emergjent të kompanisë SAF Helicopteres, tregoi se e dinte identitetin e të lënduarit edhe para nisjes.

Për këtë arsye, që nga fillimi u vendosën protokolle të veçanta sigurie. Ekipit të shpëtimit iu kërkua të hiqte mikrofonat dhe kamerat GoPro, në mënyrë që të mos krijoheshin incizime që mund të cenonin privatësinë e Schumacherit dhe familjes së tij.

Edhe vendi i aksidentit ishte rrethuar me masa të forta sigurie. Personat që e shoqëronin pilotin gjerman u kujdesën që askush të mos mund të realizonte fotografi apo video që më vonë mund të përfundonin në publik.

Piloti përshkroi edhe atmosferën gjatë fluturimit më 29 dhjetor, duke treguar se në helikopter mbizotëronte heshtja e plotë, pasi të gjithë ishin të përqendruar në detyrat e tyre.

“Natyrisht, ndieja presion të madh. Njerëzit e adhuronin si zot, edhe pse unë vetë nuk isha adhurues i Formula 1”, rrëfeu piloti.

Fluturimi drejt klinikës universitare në Grenoble zgjati rreth 25 minuta, pas së cilës Schumacher iu dorëzua mjekëve.

Dainese tregoi se vetëm gjatë një fluturimi të dytë drejt të njëjtit spital e kuptoi se sa e madhe ishte vëmendja e publikut ndaj shtatë herë kampionit të botës në Formula 1.

Kur mbërriti, pa autobusë, flamuj të kuq dhe një numër të madh njerëzish. Kompleksi spitalor, siç u shpreh ai, i ngjante një piste të Formula 1.

I gjithë rasti ka mbetur prej vitesh nën një sekret të rreptë dhe aktualisht dihet shumë pak për gjendjen shëndetësore të legjendës së sportit.

Vitin e kaluar, në Gjermani, tre burra u dënuan për tentativë shantazhi ndaj familjes Schumacher, duke përdorur incizime të realizuara pas aksidentit.

TË FUNDIT