Ish-drejtuesi i Ferrarit, Mauricio Arrivabene, pranoi se i mungon Formula 1 dhe kujtoi një episod interesant me Kimi Raikkonenin, kampionin e fundit të botës me Ferrarin.
“Mbaj mend një shaka të Kimit. Ai i pëlqente shumë të tilla. Gjatë një video-telefonate më tregoi këmbën e tij të mbuluar me allçi dhe unë u panikosa. Nuk dija kush do ta zëvendësonte dhe çfarë do t’i thosha Sergio Marchionnes. Më pas doli që nuk ishte allçi e vërtetë”, tregoi Arrivabene.
Ai foli edhe për një rikthim të mundshëm në Formula 1: “Do të kthehesha vetëm për Ferrarin. Për asgjë tjetër, pavarësisht parave. Ferrari ose asgjë. Por tani aty është Frédéric Vasseur, të cilin e respektoj, ndaj vetëm mund t’i mbështes”.
Ndërkohë, Ferrari po punon për zhvillimin e krahut të ri të pasmë “Macarena”, i cili u testua shkurtimisht në Kinë. Skuadra synon ta përdorë në Çmimin e Madh të Japonisë, pasi kërkon ende përmirësime për të shmangur problemet me balancën aerodinamike. Paketa e parë e madhe e përditësimeve pritet të jetë gati për garën në Miami në maj.



