Mesfushori Leon Avdullahu nuk do të jetë në dispozicion për përballjen ndaj Sllovakisë.
Lajmi është konfirmuar nga trajneri i TSG Hoffenheim, Christian Ilzer, i cili në një konferencë për shtyp bëri të ditur se lojtari ka pësuar një lëndim gjatë stërvitjes.
“Fatkeqësisht, Leoni e ka lënduar veten këtë javë. Ai ka marrë një lëndim muskulor dhe do të jetë jashtë fushës për disa javë. Sidoqoftë, nuk jam doktor, prandaj nuk do të hyj në shumë detaje”, deklaroi Ilzer.
Tutje, ai shtoi se rikthimi i mesfushorit mbetet i paqartë në aspektin kohor, megjithatë ekziston optimizëm që ai të jetë i gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit.
“Nuk mund të them saktësisht për sa kohë do të jetë jashtë, por pritet të jetë gati për pjesën e mbetur të sezonit. Ai ka luajtur rol kyç, prandaj do të kemi sfidë për të gjetur zgjidhje këtë javë. Mungesa e tij është goditje për sistemin tonë, ai gjithashtu ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në aspektin defansiv”, theksoi trajneri.
Ndërkohë, lista e Kosovës pritet të publikohet të premten, ndërsa më 26 mars zhvillohet përballja gjysmëfinale ndaj Sllovakisë në kuadër të kualifikimeve për FIFA World Cup. /AutoPortali



