Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dhe organizatorët e WRC Croatia Rally 2026 kanë publikuar listën zyrtare të ekuipazheve që do të garojnë nga 9 deri më 12 prill në zonën e Rijekës.
Edicioni i pestë i këtij rally sjell një ndryshim të madh, pasi gara zhvendoset në perëndim të Kroacisë, duke përfshirë disa rajone bregdetare dhe malore, me pjesëmarrjen e 51 ekuipazheve nga 23 vende.
Në kategorinë elitare Rally1 do të garojnë nëntë ekuipazhe, me Elfyn Evans si lider, i ndjekur nga Oliver Solberg dhe Takamoto Katsuta. Nga Hyundai marrin pjesë Thierry Neuville, Adrien Fourmaux dhe Hayden Paddon, ndërsa në garë për podium priten edhe pilotë të tjerë nga M-Sport Ford dhe Toyota.
Gara zhvillohet në asfalt, pas etapave në borë dhe zhavorr të sezonit, çka mund të ndikojë ndjeshëm në renditje.

Starti ceremonial do të mbahet më 9 prill në Rijekë, ndërsa përfundimi i garës do të jetë pranë fortesës Nehaj, me ceremoninë finale në Opatia.
Ky event mbetet një nga më të ndjekurit në Kroaci, me transmetim në mbi 150 vende dhe prani të madhe tifozësh përgjatë etapave.



