Lewa e mban pezull përgjigjen për Milanin dhe Juventusin, pret vendimin e Barcelonës për rinovimin e kontratës
L

Lewa e mban pezull përgjigjen për Milanin dhe Juventusin, pret vendimin e Barcelonës për rinovimin e kontratës

E ardhmja e Robert Lewandowski mbetet një nga çështjet më të nxehta të merkatos së verës.

Sulmuesi polak, kontrata e të cilit me FC Barcelona skadon në qershor, po tërheq interesin e klubeve të mëdha italiane si AC Milan dhe Juventus.

Kuqezinjtë synojnë të përforcojnë repartin ofensiv pas një sezoni të vështirë, duke kërkuar një profil me eksperiencë dhe garanci golash, në një operacion që kujton afrime të stilit Luka Modrić.

Nga ana tjetër, bardhezinjtë janë në kërkim të një goleadori të konsoliduar, edhe pse paralelisht po punojnë për të mbajtur në skuadër Dušan Vlahović.

Megjithatë, pista kryesore mbetet qëndrimi në Katalonjë.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i gatshëm t’i ofrojë sulmuesit një kontratë të re njëvjeçare, si pjesë e një marrëveshjeje që lidhet edhe me aspektet ekonomike të transferimit të vitit 2022.

Vetë lojtari, aktualisht i grumbulluar me kombëtaren polake, ka zgjedhur të mos zbulojë planet për të ardhmen: ai ka theksuar se po merr kohë për të vendosur dhe se një vendim nuk pritet të vijë shpejt.

Në këtë situatë të hapur, orët dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e një prej sulmuesve më të mirë të dekadës së fundit./AutoPortali

TË FUNDIT