Dy podiume në dy gara me dy pilotë të ndryshëm, dy starte super të garës dhe një vend i dytë në renditjen e konstruktorëve pas vetëm dy garash, fillimi i këtij sezoni për Ferrari është mjaft pozitiv. Por, për fat të keq për shpresat e titullit të Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton, ata do të përballen në një duel të fortë me Mercedes, që i ka fituar dy garat e para.
Në konferencën për shtyp në Suzuka, ku zhvillohet gara e radhës, Leclerc u pyet nëse Ferrari mund t’i sfidonte seriozisht “shigjetat e argjendta”, jo vetëm duke i shoqëruar ata në podium.
“Nuk mendoj se jemi aq afër sa mendojnë njerëzit“, deklaroi piloti i Ferrari.
“Në garat e para shohim shumë beteja midis makinave, gjë që në fakt është mjaft e mirë, por sapo Mercedes shkëputet nuk i arrijmë dot. Shansi ynë i vetëm për të mbajtur në hap me ta është t’i shqetësojmë në xhirot e para, pasi më tej ato tregojnë ritmin e tyre të vërtetë. Mendoj se ata kanë 4-5 të dhjetat më shumë se ne”, shtoi Leclerc.

Shpresa e Leclerc është në përditësimet që do të vijnë gjatë sezonit: “Ky kampionat do të përqendrohet në zhvillimet dhe përditësimet që do të prezantojë secila skuadër. Për momentin, jemi në një pozicion të mirë, por padyshim që nuk jemi këtu vetëm për të përfunduar në podium. Duam të fitojmë gara, gjë që duket shumë e vështirë për momentin”.
“Mercedes është në një nivel shumë të lartë. Po punojmë shumë fort, dhe veçanërisht stafi i fabrikës po punon shumë fort për të sjellë përditësime sa më shpejt të jetë e mundur. E di që do të ketë disa veçori të reja. Nëse kjo do të bëjë ndryshim apo jo, nuk e di, dhe jam mjaft i sigurt se as të tjerët nuk po bëjnë pushim, kështu që do të jetë e vështirë“, tha Leclerc.



