Marc Marquez pranoi se vendi i pestë në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara erdhi si pasojë e gabimeve të tij, jo për shkak të motorit Ducati.
Ende duke u rikuperuar nga një dëmtim në shpatull, spanjolli pati një fundjavë të vështirë në Austin, pistë ku dikur dominonte. Shanset e tij u ulën edhe më shumë pas një penalltie për përplasje me Fabio di Giannantonio gjatë garës sprint.
Gjatë garës së së dielës, ai humbi kohë në xhirot e para duke dueluar me rivalët dhe ra jashtë top 10 pas penalltisë. Edhe pse u rikuperua disi, nuk arriti të luftojë për podium.
“Podiumi ishte i mundur, por jo fitorja”, tha ai, duke pranuar se gabimi i një dite më parë i kushtoi shumë.
Marquez mori përgjegjësinë e plotë për formën e dobët, duke theksuar se problemi kryesor është ai vetë: “Më mungoj unë, jo motori. Në xhirot e para nuk ndihem mirë dhe nuk arrij të bëj diferencën”.
Ai shtoi se duhet të përmirësojë performancën në fillim të garave për të rikthyer konkurrueshmërinë.



