Formula 1 po përballet me një krizë të madhe, ndërsa kritikat ndaj epokës së re po shtohen gjithnjë e më shumë.
Shumë pilotë dhe ekipe besojnë se kampionati ka humbur thelbin e garimit. Makinat e reja, që kombinojnë motorë elektrikë dhe me djegie të brendshme, në vend që të rrisin spektaklin, po shtojnë rrezikun në pistë. Aksidenti i rëndë në Çmimin e Madh të Japonisë vetëm sa i forcoi këto shqetësime, duke detyruar FIA-n të planifikojë një takim urgjent për ndryshime para garës në Majami.
Edhe ish-piloti Edi Irvine kritikoi ashpër drejtimin e ri, duke thënë se F1 nuk duhet të përpiqet të jetë ekologjike dhe se makinat janë shumë të rrezikshme.
Ndërkohë, Max Verstappen është ndër kritikët më të mëdhenj. Ai ka vetëm 12 pikë pas tri garash dhe po kalon fillimin më të dobët të sezonit që nga viti 2015. I pakënaqur me performancën dhe mungesën e argëtimit, ai madje ka lënë të kuptohet për tërheqje, pavarësisht kontratës deri në 2028.
Irvine reagoi prerë ndaj kësaj: “Formula 1 nuk ka nevojë për Maxin, ka shumë pilotë të talentuar. Por me mbi 50 milionë arsye në vit, ai duhet të qëndrojë”.



