I dashur nga tifozët e Ferrarit dhe miliona entuziastë në të gjithë botën, Charles Leclerc ndoshta ka fituar më pak gara sesa meritonte në karrierën e tij deri më tani dhe ende po ndjek titullin botëror që është ëndrra e çdo piloti të Formula 1.
Megjithatë, ai është bërë një forcë absolute veçanërisht për shkak të lidhjes së tij të fortë me Ferrari.
I intervistuar së fundi, Leclerc foli për marrëdhënien e tij unike me “kokëkuqen”. Monegasku është rritur në Akademinë e pilotëve të Ferrarit, ka qenë pilot i rregullt i saj që nga viti 2019 dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të vendosë të kalojë pjesën tjetër të karrierës së tij me ekipin e Maranello. Një dashuri që tejkalon profesionin e tij dhe është padyshim e pazakontë në F1 e sotme.
“Të jesh te Ferrari është vërtet e veçantë. Isha në anën e tifozëve që shikonin çdo garë të dielën, duke shpresuar që makina e kuqe të fitonte. Tani jam në makinë dhe marr gjithë këtë mbështetje drejtpërdrejt. Ende ndiej të njëjtin pasion që kisha atëherë”, tha Leclerc.
“Si pilot nuk mund të përballoj të përjetoj emocione të caktuara gjatë drejtimit. Por pasioni dhe dashuria që kam për këtë ekip është e paprekur. Kjo është ajo që e bën Ferrari të veçantë. Është një markë që bashkon të gjitha brezat, nga fëmijët te të moshuarit. Të gjithë ëndërrojnë të njëjtën gjë: të shohin Ferrarin në krye”, shtoi Leclerc.

Më tej, ai tha: “Zhvillimi është shumë i rëndësishëm këtë vit, është themelor. Ka shumë punë për të bërë në Maranello për të zhvilluar pjesë të reja dhe për të testuar gjëra në simulator. Ne të gjithë duhet të shtyjmë në të njëjtin drejtim për ta rikthyer Ferrari në krye. Unë e ëndërroj një titull këtu”.



