Piloti testues i Honda në MotoGP, Aleix Espargaro, do t’i nënshtrohet operacionit të mërkurën në Barcelonë pas një dëmtimi në vertebra.
Ai theu vertebrat T3 dhe T4 gjatë një aksidenti të rëndë në një test privat në Sepang, në Malajzi, teksa po punonte për zhvillimin e motorit RC213V.
Pas trajtimit fillestar në spital në Malajzi, Espargaro u kthye në Barcelonë, ku analizat mjekësore konfirmuan se ndërhyrja kirurgjikale është zgjidhja më e mirë.
Vetë spanjolli tha se kishte disa mavijosje dhe dëmtime në katër vertebra, por fatmirësisht pa prekur palcën kurrizore.
Operacioni do të kryhet nga një neurokirurg specialist, ndërsa rikthimi i tij në pistë nuk pritet në një afat të shkurtër.



