George Russell nënshkroi vitin e kaluar një kontratë të re me Mercedesin, por disa detaje nuk u bënë publike, gjë që nxiti spekulime në media për të ardhmen e britanikut në ekipin me seli në Brekli.
Sipas raportimeve, kontrata e Russellit zgjat deri në fund të vitit 2026, me një opsion zgjatjeje deri në vitin 2027, por vetëm nëse plotësohen disa kushte që lidhen me rezultatet dhe arritjet.
Russell e konfirmoi këtë dhe theksoi se nuk ka dyshime që do t’i përmbushë kushtet për të mbajtur vendin në ekip.
“Parimi është i thjeshtë: nëse arrin rezultate të caktuara, ekipi vazhdon të punojë me ty. Dhe unë do të vozis për Mercedes në vitin 2027”.
“Aktualisht nuk kam asgjë më shumë për të shtuar për këtë temë. Kontrata ime është disa vjeçare. Shpesh në kontrata të tilla ka klauzola që kërkojnë rezultate të caktuara. Por sa më përket mua, besoj se ato do të përmbushen shumë përpara fundit të sezonit”.



