Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka reaguar pas një aksidenti tragjik në Rally Sudamericano Mina Clavero në Argjentinë, ku një spektator humbi jetën dhe disa të tjerë u lënduan.
Aksidenti ndodhi gjatë raundit të dytë të FIA CODASUR South American Rally Championship, kur piloti Didier Arias dhe bashkëpiloti Hector Nunez humbën kontrollin e makinës. Automjeti goditi një grumbull dheu dhe u rrotullua disa herë, duke përfunduar në zonën e spektatorëve. Disa tifozë arritën të largoheshin, por makina përfundoi duke goditur disa prej tyre.
Të dy garuesit shpëtuan pa lëndime, por siç konfirmoi FIA, një person humbi jetën ndërsa dy të tjerë u plagosën.
“FIA është thellësisht e pikëlluar nga incidenti tragjik… i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të gjithë të prekurve,” thuhet në deklaratë.

FIA shtoi se do të mbështesë organizatorët, përfshirë Automóvil Club Argentino dhe CODASUR, si dhe autoritetet lokale në hetimin e plotë të ngjarjes.
Kjo ka qenë një fundjavë e rëndë për motorsportin, pasi edhe piloti Juha Miettinen humbi jetën në një aksident tjetër në Nurburgring një ditë më parë.



