Piloti italian i Mercedesit, Kimi Antonelli, fitoi garën e Çmimit të Madh të Majami në Formula 1. Ai e nisi garën nga “pole” dhe e mbylli atë në vendin e parë, por për kryesuesin e Botërorit nuk ishte një fitore e lehtë.
Antonelli bëhet piloti i parë që nis tri gara radhazi nga “pole” dhe i fiton ato.
Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën dy makinat McLaren, me Lando Norris që la pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri.
Britaniku dueloi deri në fund me Antonellin për fitoren, por pa mundur ta parakalojë. Ndërsa australiani kapi podiumin në dy xhirot e fundit, pasi parakaloi Charles Leclerc.
Monegasku i Ferrarit humbi podiumin në fundin e garës, madje pati edhe një problem me makinën e tij në xhiron e fundit (humbi kontrollin), duke përfunduar në vendin e gjashtë.
Në kthesat e fundit ai u parakalua edhe nga George Russell (i katërti me Mercedes) dhe Max Verstappen (i pesti me Red Bull).
Në vendin e shtatë u rendit Lewis Hamilton me Ferrarin tjetër, që nuk dha atë që pritej, ndoshta edhe si pasojë e një kontakti që në xhiron e parë. Madje të dyja makinat Ferrari nuk ishin në atë nivel që pritej. Në “top-10” vendet e para edhe Franco Colapinto, Carlos Sainz dhe Alexander Albon.
Gara, e cila nisi tri orë më herët për shkak të shiut që pritet të nisë më vonë, pati një pjesë të parë fantastike, me disa parakalime dhe aksidente, që e bënë mjaft interesante atë.

Në 20 xhirot e para disa pilotë ishin në krye, por në momentin që Antonelli e mori atë nuk e lëshoi më deri në fund.
Edhe fundi i saj pati emocione, pasi gara për vendin e tretë u bë mjaft interesante. Sidomos me Leclerc, që humbi kontrollin e makinës dhe për pak sa nuk u përplas.



