Garuesit e auto sportit kosovar edhe në fundjavën e radhës do të jenë aktivë.
Pas Ferizajt (sllallom), Sllatinës (drag Race) e Gjilanit (karting) vëmendja sërish do të jetë në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, ku të dielën (17 maj) mbahet gara e dytë e Kampionatit të Kosovës në disiplinën e sllallomit.
Bazuar në tri garat e para, në të cilat pjesëmarrja ishte shumë e kënaqshme, pritet që edhe këtë herë të jetë njëjtë.
Beteja për pikë, rivaliteti sportiv, por edhe vetë pasioni për shpejtësi e teknikë me vetura bëjnë që të dielën të kemi festën e radhës automobilistike.
Klubi organizator KMDK është në vlugun e përgatitjeve dhe bashkë me stafin e FASK-ut presin që edhe gara e dytë e sllallomit të ketë rrjedhë e përfundim të mirë e po ashtu të jetë po aq interesante sa ajo në Ferizaj.
Linku për aplikim tashmë është publikuar në faqen zyrtare të FASK-ut.



