Përfundon “klauzola” 8-mujore, Horner mes Formulas 1 dhe MotoGP-së
P

Përfundon “klauzola” 8-mujore, Horner mes Formulas 1 dhe MotoGP-së

Christian Horner mund të rikthehet në Formula 1. Ish-piloti dhe më pas drejtuesi i suksesshëm i ekipit Red Bull, me tetë tituj kampionësh pilotësh të fituar mes Sebastian Vettelit dhe Max Verstappen, nuk i kishte kurrë dyert e mbyllura në F1 pas largimit nga ekipi i pijeve energjike. Megjithatë, për arsye ligjore, ai nuk mund të bashkohej menjëherë me një tjetër skuadër gjatë periudhës së njohur si “gardening leave”, koha e detyrueshme e pritjes përpara se të kalosh te një rival.

Pas tetë muajsh, periudha e ndalimit ka përfunduar për britanikun. Që prej kësaj jave, Horner është i lirë të bashkohet me një ekip tjetër pas mungesës së tij në “paddock”-un e Formulës 1.

Deri tani, thashethemet e kanë çuar pothuajse në çdo drejtim të mundshëm, nga skuadra në rritje deri te projekte krejtësisht të reja, madje edhe të paformuara ende. Historia ka marrë shumë ngjyra.

Fillimisht, mediat e lidhën me Alpinen dhe marrëdhënien e tij të veçantë me Flavio Briatore, si edhe me një projekt që mund të vazhdonte strukturën aktuale të ekipit francez në rast se Renault Group ndryshon pronësinë. Më fuqishëm u përfol për një kalim te Aston Martin, pasi Horner ka një marrëdhënie të mirë me Laurenc Stroll. Ai madje u lidh edhe me Ferrarin kur pozita e Frederic Vasseur  dukej e lëkundur. Megjithatë, asnjë prej këtyre mundësive nuk u konkretizua dhe Horner nuk ka firmosur apo arritur marrëveshje me ndonjë ekip. Madje, ai mund të përfundojë edhe në bokse të tjera, si në MotoGP.

Horner u pa gjatë Çmimit të Madh të Amerikës në bisedime me disa ekipe, ndërsa media të specializuara në Itali dhe Angli e përmendën si kandidat për një rol drejtues në botën e motoçiklizmit, si figurë përfaqësuese e anës së “Liberty Media” në kampionat.

TË FUNDIT