Johann Zarco tregon për tmerrin që e përjetoi në Barcelonë
J

Johann Zarco tregon për tmerrin që e përjetoi në Barcelonë

Johann Zarco ka rrëfyer për herë të parë momentet dramatike të aksidentit të rëndë që pësoi gjatë rinisjes së Catalan Grand Prix në Barcelonë, ku mbeti i bllokuar poshtë motorit të Francesco Bagnaia dhe pësoi dëmtime serioze në këmbën e majtë.

Duke u nisur i pesti, Zarco nuk arriti të kalonte kthesën e parë pas rinisjes. “U tërhoqa nga Marini dhe nuk munda të ndaloja në kohë për ta shmangur”, tha ai për L’Equipe. Më pas ai u përplas me Ducatin e Francesco Bagnaia. “U rrokullisa bashkë me motorin e tij, me këmbën time të majtë të ngecur mes rrotës, sediljes dhe shkarkuesit”.

Francezi mbeti i bllokuar në motor edhe pasi Ducati përfundoi në zonën me zhavorr. Kur motori ndaloi, ai ishte i shtrirë në shpinë me këmbën ende të ngecur. Ndihmë i dhanë menjëherë Bagnaia, Luca Marini dhe komisarët e pistës.

“Isha i bllokuar në zhavorr, duke bërtitur nga dhimbja; këmba po më digjej dhe të gjithë kishin frikë të më preknin”, tregoi Zarco. “Më immobilizuan, ma prenë kostumin, më dhanë serum për të ndalur dhimbjen… Nuk kisha kaluar kurrë diçka të tillë dhe ishte absolutisht tmerruese”.

Më vonë u konfirmua se ai kishte pësuar një frakturë të lehtë të fibulës, si edhe dëmtime në ligamentet dhe meniskun e gjurit të majtë.

Zarco pranoi gjithashtu se pendohet që mori pjesë në nisjen e dytë të garës, pasi më herët ishte goditur nga mbeturinat e aksidentit ku u përfshinë Alex Marquez dhe Pedro Acosta.

“Këmba ime ishte bërë tashmë vjollcë. Pikërisht aty duhej të kisha marrë vendimin për t’u tërhequr,” tha ai. “Nuk isha më ‘i lidhur’ kur u rreshtuam sërish në grid. Po e qortoj veten që mora pjesë në atë nisje të dytë”.

TË FUNDIT