Verstappen dëshiron të rikthehet në “Ferrin e Gjelbër”
V

Verstappen dëshiron të rikthehet në “Ferrin e Gjelbër”

Max Verstappen dëshiron me ngulm të rikthehet në Nurburgring për një “shans të dytë”, pasi fundjavën e kaluar mbeti pa fitore në “Ferrin e Gjelbër”.

Fundjavën e kaluar, holandezi mori pjesë në garën 24-orëshe në Nurburgring, duke u bërë kampioni i 28-të i Formula 1 që garon në këtë event të famshëm të qëndrueshmërisë.

Verstappen dhe shokët e tij të skuadrës në makinën numër 3 të Mercedes-Benz, Dani Juncadella, Jules Gounon dhe Lucas Auer, ishin në krye të garës, por një defekt në bosht katër orë para fundit ua shkatërroi shpresat për fitore.

Pasi u rikthyen në pistë në fund të garës, ata e përfunduan atë në vendin e 38-të.

Megjithatë, pavarësisht këtij zhgënjimi të madh, katër herë kampioni i Formula 1 dëshiron të rikthehet sërish.

“Sigurisht që do të përpiqem të rikthehem”, tha holandezi.

“Gjithçka varet edhe nga kalendari im”.

Pavarësisht zhgënjimit në fund, Verstappen tha se e gjithë përvoja ishte shumë e këndshme për të.

“Më pëlqen gara, sidomos garat e qëndrueshmërisë ku e ndan makinën me shokët e skuadrës. Kjo garë 24-orëshe dhe pista janë jashtëzakonisht sfiduese”.

Verstappen tashmë këtë fundjavë rikthehet në detyrat e tij në Formula 1 për Çmimin e Madh të Kanadasë.

TË FUNDIT