Johann Zarco do t’i nënshtrohet operacionit, e ardhmja në dyshim
J

Johann Zarco do t’i nënshtrohet operacionit, e ardhmja në dyshim

Johann Zarco pritet të mungojë për një periudhë të gjatë pas dëmtimit serioz në këmbën e majtë, kryesisht në gju, që pësoi gjatë Çmimit të Madh të Katalonjës në MotoGP.

Pas ekzaminimeve nga specialisti i njohur i gjurit, Dr. Bertrand Sonnery-Cottet, është konfirmuar se piloti francez ka nevojë për operacion, por ndërhyrja kirurgjikale nuk mund të kryhet menjëherë dhe do të shtyhet për disa javë.

Incidenti ndodhi gjatë rinisjes së dytë të garës në Barcelonë të dielën, kur Zarco u përplas me motorët e Francesco Bagnaia dhe Luca Marini. Në momentin e aksidentit, këmba e majtë e Zarcos mbeti e bllokuar mes rrotës dhe pjesës së sipërme të motorit të Bagnaia-s.

Mjekët konfirmuan se ai ka dëmtime në ligamentet kryqëzuese të përparme dhe të pasme, meniskun medial dhe fibulën e këmbës së majtë.

Piloti i LCR Honda u kthye në Francë, ku të martën u konsultua në Lion me Dr. Sonnery-Cottet, një nga specialistët më të njohur në trajtimin e lëndimeve të gjurit te sportistët profesionistë.

 

Në deklaratën zyrtare të ekipit thuhet se Zarco duhet të presë disa javë para operacionit, në mënyrë që trauma fillestare dhe dëmtimet e tjera në gju të stabilizohen.

“Pas operacionit do të hartohet një plan i detajuar rikuperimi, i cili do t’i lejojë ekipit mjekësor të vlerësojë kohën e mundshme të rikthimit të tij në gara”, thuhet në njoftimin e ekipit.

TË FUNDIT