Mohammed Ben Sulayem ka propozuar heqjen e kufizimit të mandateve për presidentin e FIA-s, rregull që aktualisht lejon maksimumi tri mandate ose 12 vite në krye të organizatës.
Presidenti aktual i FIA-s, që ndodhet në mandatin e dytë, kërkon ndryshimin e statutit për të pasur mundësi të kandidojë pa kufizim kohor. Sipas BBC Sport dhe Motorsport, propozimi do të votohet në Asamblenë e ardhshme të Përgjithshme.
Kufizimi i mandateve ishte vendosur gjatë presidencës së Jean Todt, ndërsa para tij Max Mosley qëndroi në krye të FIA-s për 16 vite.
FIA konfirmoi se ndryshimi synon të unifikojë rregullat për të gjitha organet drejtuese të federatës. Në zgjedhjet e fundit, Ben Sulayem kandidoi pa kundërshtarë, pasi rivalët nuk plotësuan kriteret për kandidim zyrtar.



