MotoGP po shqyrton masa të reja sigurie pas aksidenteve të rënda në Çmimin e Madh të Katalonjës, ku u lënduan Alex Marquez dhe Johann Zarco.
Drejtuesit e MotoGP zhvilluan një takim me skuadrat në Mugello për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të sigurisë dhe propozuan katër zgjidhje kryesore.
Propozimi i parë është rritja e hapësirës mes pilotëve në nisje, për të shmangur grumbullimet në kthesën e parë. Një tjetër ide është ndalimi i përdorimit të “holeshot device” në start, sistemi që ul motorin për një nisje më të shpejtë.
MotoGP po shqyrton gjithashtu shtimin e mbrojtjes në pjesën e pasme të motorëve, pas incidentit ku këmba e Zarco mbeti e bllokuar te motori i Pecco Bagnaia.
Masa e katërt parashikon vendosjen e sinjaleve paralajmëruese për pilotët kur një motor ngadalësohet papritur për shkak të defekteve teknike, si në rastin e Pedro Acosta.
Drejtori sportiv Carlos Ezpeleta deklaroi se qëllimi është të mësohet nga çdo incident dhe të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen.



