Ferrari hyn në serinë e fundit prej tri garash radhazi të kampionatit 2026, pas një fundjave jashtëzakonisht të vështirë në Interlagos. Në Brazil, makinat SF-26 nuk arritën kurrë të shfaqnin potencialin e tyre të vërtetë.
Fakti që temperaturat e ulëta u kthyen në problem, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë sezonit, nuk krijon shumë optimizëm edhe për garën në Las Vegas.
Në pistën urbane të qytetit, temperaturat do të jenë tejet të ulëta, gjë që e bën të vështirë sjelljen e gomave në intervalin e tyre optimal të funksionimit. Për më tepër, pista përmban segmente të gjata të drejta, çka mund të përbëjë një sfidë shtesë për makinat Ferrari.
Shefi i “kokëkuqes”, Frederic Vasseur, e përshkroi kështu fundjavën e ardhshme: “Çmimi i Madh i Las Vegas shënon fillimin e serisë së fundit prej tri garash radhazi për këtë sezon. Pista urbane ka karakteristika shumë specifike, segmente të gjata të drejta, zona me frenime të forta dhe vështirësinë shtesë të temperaturave shumë të ulëta”.
“Ndaj do të jetë thelbësore që gomat të sillen në intervalin e duhur të funksionimit. E dimë se këta janë faktorë kyç për performancën dhe jemi përqendruar pikërisht në këto aspekte gjatë përgatitjeve tona. Si gjithmonë, prioriteti do të jetë shfrytëzimi maksimal i çdo faze të fundjavës, për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm për skuadrën”, tha Vasseur.



