Gjermanët kanë përzgjedhur veturat më të mira për vitin 2026
G

Gjermanët kanë përzgjedhur veturat më të mira për vitin 2026

Njëri nga çmimet më prestigjioze evropiane në industrinë e automobilizmit, “Timoni i Artë” (Golden Steering Wheel), u nda për veturat më të mira të vitit 2026.

Këtë vit, çmimi shënoi 50-vjetorin e themelimit. Në garë morën pjesë 79 modele të reja, ndërsa përzgjedhja përfundimtare u bë nga një juri ndërkombëtare prej 23 anëtarësh, ku përfshiheshin gazetarë automobilistikë, pilotë garash dhe inxhinierë.

Këto janë veturat fituese të vitit 2026!

Opel Corsa GSE (2026)

Në kategorinë e veturave të vogla urbane fitoi Opel Corsa GSE, ndërsa në kategorinë e SUV-ve të vogla triumfoi Skoda Epiq.

Prodhuesi Kia ishte njëri nga fituesit kryesorë të këtij edicioni, duke rrëmbyer tri çmime:

Kia K4 Sportswagon – vetura më e mirë kompakte.
Kia EV5 – SUV-i më i mirë kompakt.
Kia EV2 – vetura më e mirë deri në 30,000 euro.

Në kategorinë e klasës së mesme fitoi BMW i3, ndërsa në klasën e mesme të lartë triumfoi Genesis GV60 Magma.

Çmimi për veturën më të mirë luksoze iu dha Mercedes-Benz S-Class, ndërsa titullin e veturës më të mirë sportive e fitoi BMW M2 CS.

Fituesit sipas kategorive të çmimeve

Edhe kategoritë sipas çmimit sollën rezultate interesante:

Deri në 25,000 euro: Volkswagen ID. Polo.
Deri në 30,000 euro: Kia EV2.
Deri në 35,000 euro: Mazda CX-5.

Çmimet e përmendura vlejnë për tregun gjerman.

Në kategorinë e veturave familjare fitoi Skoda Peaq, ku në vlerësim morën pjesë edhe pesë familje me fëmijë, të cilat testuan modelet duke u bazuar në nevojat e përditshme.

U përzgjodh edhe vetura më e mirë e përdorur

Për blerësit e veturave të përdorura, juria përzgjodhi Audi A4 Avant të gjeneratës B9 si modelin më të mirë.

Me rastin e 50-vjetorit të çmimit, lexuesit përzgjodhën edhe tri modele legjendare nga historia e “Timonit të Artë”:

Mercedes-Benz SL R129.
Porsche Carrera GT.
Audi 100 C3.

Ndërkohë, çmimi për inovacionin më të mirë teknologjik iu dha Ferrari Luce, ndërsa Toto Wolff, drejtuesi i ekipit Mercedes-AMG Petronas në Formula 1, mori një çmim të veçantë për kontributin e tij në sportin automobilistik.

Çmimi “Timoni i Artë” edhe këtë vit vlerësoi modelet që dallohen për performancë, teknologji, siguri, komoditet dhe inovacion në industrinë e automobilizmit.

TË FUNDIT