Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë bërë të ditur se është vendosur sistemi i vëzhgimit me kamerë në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.
Përmes një njoftimi bëhet e ditur se Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike.
Andaj, sipas njoftimit bëhet e ditur se bazuar në kompetencat e Policisë së Kosovës, aktiviteti që është duke u zhvilluar sot në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Policinë dhe Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, i cili ligj përcakton qartë kushtet dhe masat që duhet të ndjekin autoritetet gjatë përpunimit të të dhënave personale.
“Policia e Kosovës është këshilluar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhur me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, dhe se këto të dhëna do të përpunohen për qëllime të qarta, të ligjshme dhe legjitime, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individëve. Çdo veprim në këtë proces siguron një bazë të duhur ligjore dhe për këtë qëllim, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është kryer në prezencë të inspektorëve të AIP-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



