Gara e së dielës për Çmimin e Madh të Kanadasë mund të jetë gara e parë në asfalt të lagësht në sezonin e ri të Formula 1, nëse parashikimet aktuale të motit rezultojnë të sakta.
Për të dielën në Montreal parashikohet mundësi reshjesh shiu prej 35 për qind, e cila rritet në 40 për qind pak para nisjes së garës, që është caktuar për orën 16:00 sipas kohës lokale (ose 22:00 sipas kohës sonë).
Të premten dhe të shtunën nuk pritet shi, ndërsa kushtet më të mira do të jenë të premten, gjatë stërvitjeve dhe kualifikimeve për sprintin.
Të premten pritet mot kryesisht i kthjellët, me temperatura maksimale deri në 20 gradë Celsius. Të shtunën dhe të dielën do të jetë edhe pak më ngrohtë, ndërsa më pas pritet vranësim mbi Montrealin.



