Antoneli ul euforinë: Rivalët do të afrohen…
A

Antoneli ul euforinë: Rivalët do të afrohen…

Në moshën vetëm 19- vjeçare, Andrea Kimi Antonelli kryeson renditjen e Kampionatit Botëror të Formulës 1, duke u bërë më i riu në histori që arrin këtë sukses, pas dy fitoreve në Çmimet e Mëdha të Kinës dhe Japonisë, dy nga tri garat e para në epokën e re në F1.

Megjithatë, pavarësisht dominimit të ekipit të tij në këtë fillim të rregullave të reja, piloti italian u shpreh në një intervistë të fundit për “Sky Sport Italia” se situata mund të ndryshojë ndjeshëm gjatë sezonit. Ai theksoi se rivalët, veçanërisht Ferrari, pritet të përmirësohen dhe të afrohen në performancë, sidomos për sa i përket motorit në krahasim me Mercedesin.

“E di që do të ketë ndryshime të rëndësishme, për shembull, ADUO (koncesionet e FIA-s për zhvillimin e motorit dhe uljen e diferencës me motorin e Mercedesit) që i janë dhënë Ferrarit, do t’u mundësojnë të zhvillojnë motorin. Me siguri do të afrohen shumë, sepse makina e tyre është tashmë e shpejtë dhe, nëse përmirësojnë edhe motorin, do të jenë edhe më pranë”, u shpreh fillimisht Antonelli.

Më tej talenti italian i Mercedesit shtoi: “Megjithatë nuk jam shumë i shqetësuar, sepse në fund të fundit, sapo të dal në pistë, do të përqendrohem të bëj atë që kam bërë në fundjavat e fundit, të jap maksimumin, të fokusohem te vetja dhe te objektivat që kemi çdo fundjavë gare”, u shpreh piloti nga Bolonja.

Antonelli dha gjithashtu një mesazh për rivalët, duke theksuar se Mercedesi nuk do të ndalet së përmirësuari. “Jam i sigurt që edhe ne do të sjellim përditësime shumë të rëndësishme, makina është tashmë e shpejtë dhe ka një dinamikë shumë të mirë brenda ekipit, ndaj nuk jam shumë i shqetësuar”, tha Antonelli. Gjithsesi, ai pranoi se Ferrari mund t’i arrijë: “Jam i vetëdijshëm që ekipet e tjera do të na arrijnë herët a vonë”, përfundoi lideri i Formulës 1.

TË FUNDIT