Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë
B

Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se biletat për ndeshjen e radhës së ekipit kombëtar tashmë janë në shitje. Takimi do të zhvillohet më 31 mars 2026, duke filluar nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fati i kësaj ndeshjeje lidhet drejtpërdrejt me përballjen paraprake në Sllovaki. Në rast se Kosova siguron fitore, përballja e 31 marsit do të shndërrohet në finale të “play-off”-it, ku kundërshtar do të jetë fituesi i duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.

Në të kundërtën, nëse “Dardanët” pësojnë humbje, ndeshja e fundit do të zhvillohet si miqësore ndaj humbësit të çiftit Turqi–Rumani.

Interesimi për këtë ndeshje pritet të jetë i madh, pasi bëhet fjalë për një takim me peshë, qoftë për një finale historike apo një përballje testuese me kundërshtarë të fortë evropianë.

Biletat mund të blihen përmes platformës online, ndërsa çmimet ndryshojnë sipas sektorëve: 10 euro për tribunat Veri dhe Jug, 20 euro për Lindje, 30 euro për Perëndim dhe 100 euro për sektorin VIP.

Tifozët tashmë mund të sigurojnë vendin e tyre në stadium për një natë që premton emocione të mëdha dhe atmosferë të zjarrtë në kryeqytet./AutoPortali

TË FUNDIT