Ferrari nën presion, rivalët vazhdojnë të avancojnë
F

Ferrari nën presion, rivalët vazhdojnë të avancojnë

Pas garës në Majami, presioni mbi skuadrën italiane është rritur ndjeshëm dhe rezultatet janë larg pritshmërive. Ferrari nuk fiton prej 32 garash, që nga suksesi i Carlos Sainz në Meksikë në vitin 2024.

Në Majami, Ferrari solli 11 përditësime në SF-26, paketa më e madhe e fundjavës, por ritmi në pistë nuk ishte bindës. Charles Leclerc e nisi mirë garën dhe mori kryesimin në xhirot e para, por degradimi i gomave e largoi shpejt nga lufta për fitore. Monegasku pati edhe tensione në radio me skuadrën për strategjinë e “pit stop”-eve, ndërsa në fund bëri një gabim gjatë duelimit me Oscar Piastri për podiumin.

Probleme ka edhe në anën e Lewis Hamilton. Shtatë herë kampioni i botës kritikoi hapur simulatorin e Ferrarit, duke thënë se të dhënat nuk përputhen me sjelljen reale të makinës në pistë. Para garës në Montreal, britaniku ka vendosur të mos përdorë simulatorin, me shpresën për të gjetur ndjesi më të mira me njëvendëshen.

Ndërkohë rivalët po vazhdojnë të përmirësohen. McLaren do të sjellë zhvillime të reja pas suksesit në Majami me Lando Norris dhe Oscar Piastri, ndërsa Mercedes po përgatit një paketë të madhe risish teknike në pistën ku vitin e kaluar fitoi George Russell. Skuadra e Toto Wolff kryeson kampionatin dhe diferenca ndaj Ferrarit ka shkuar në 70 pikë, duke e bërë situatën gjithnjë e më shqetësuese për “kokëkuqen”.

TË FUNDIT