Piloti i Ferrarit, Lewis Hamilton, ndau përshtypjet e tij pas garës për Çmimin e Madh të Majamit, e cila u zhvillua të dielën.
Ai theksoi se ajo garë nuk do ta përcaktojë sezonin e tij.
Hamilton e përfundoi garën në vendin e gjashtë, pasi Charles Leclerc u ndëshkua me 20 sekonda për prerje të parregullt të kthesave në fund të garës.
“Ishte një fundjavë sfiduese për ne. Pas kontaktit praktikisht mbeta i bllokuar në ‘tokën e askujt’ dhe nuk munda të nxirrja më shumë nga makina”, tha Hamilton, transmeton “Sky Sport”.
Ai nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e tij.
“Është e vështirë ta pranosh, sidomos për shkak të gjithë përkushtimit që ka bërë ekipi, por kjo nuk do të na përcaktojë. E rëndësishme është si do të vazhdojmë më tej. Do të nxjerrim mësime dhe do të fokusohemi te garat e ardhshme. Nuk ishte një fundjavë e mirë. Isha jashtë luftës në të dyja garat. Pas dëmtimit nuk kishte shumë gjëra që mund të bëja. Duhet të vazhdojmë përpara”, tha Hamilton.



