Drejtori sportiv i MotoGP, Carlos Ezpeleta, ka theksuar se kampionati nuk do të bëjë asnjë kompromis sa i përket sigurisë së pilotëve, mes interesimit të Liberty Media për të zhvilluar një garë në pistën e Formula 1 në Majami.
Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Liberty Media, Derek Chang, e cilësoi Miami International Autodrome si një vend “logjik” për zgjerimin e MotoGP në tregun amerikan dhe afrimin e kampionatit me tifozët në SHBA.
Megjithatë, ideja ka ngritur pikëpyetje, pasi pista e Majamit është projektuar kryesisht për Formula 1 dhe ka zona të kufizuara sigurie (run-off areas), gjë që mund të jetë problematike për garat me motorë.
Duke folur gjatë Çmimit të Madh të Francës, Ezpeleta sqaroi se një garë në Majami mbetet vetëm një mundësi afatgjate dhe jo një prioritet i menjëhershëm.
“Ajo që është e qartë për ne është se nuk do të ketë kurrë kompromis për elementet e sigurisë”, tha ai. “FIM ka bërë progres të madh në sigurinë e pistave gjatë dekadave të fundit dhe kjo do të vazhdojë”.
Ai shtoi se MotoGP aktualisht është më i fokusuar në forcimin e garës në Austin dhe rritjen e popullaritetit në SHBA, ndërsa opsionet e reja po analizohen me kujdes.

Ezpeleta komentoi edhe për trendin e mundshëm të garave në qendra qytetesh, pas vendimit që GP i Australisë të zhvendoset në një pistë të re rrugore në Adelaide. Sipas tij, rasti i Adelaide është unik dhe MotoGP nuk planifikon që pjesa më e madhe e kalendarit të zhvillohet në pista urbane.
“Nuk e shohim gjysmën e kalendarit të MotoGP-së të kalojë në gara në qendrat e qyteteve”, deklaroi ai.



