Ogier fitues i Rallyt në Ishujt Kanarie (VIDEO)
O

Ogier fitues i Rallyt në Ishujt Kanarie (VIDEO)

Francezi Sebastien Ogier me Toyota fitoi rallinë në Ishujt Kanarie, gara e pestë e Kampionatit Botëror WRC 2026. Kjo ishte fitorja e tij e parë këtë sezon dhe e 68-ta në karrierë. Pas tij u renditën Elfyn Evans, Sami Pajari dhe Takamoto Katsuta, duke konfirmuar dominimin e Toyota-s.

“Rallia ishte e vështirë, por në fund ishte më e rëndësishme të isha më i shpejti. Nuk u ndjeva në panik dhe mbajta ritmin tim”, tha Ogier, duke shtuar se makina ishte e shkëlqyer dhe gara shumë e këndshme.

Evans përfundoi i dyti me 19.9 sekonda vonesë dhe mori kryesimin në renditjen e përgjithshme. “Nisëm keq dhe humbëm shansin për fitore, por Ogier e meritoi”, u shpreh ai.

Toyota mund të kishte zënë pesë vendet e para nëse Oliver Solberg nuk do të gabonte në etapën parafundit, kur doli nga pista duke ndjekur Ogier. I pesti u rendit Adrien Fourmaux (Hyundai), si piloti i parë jashtë Toyota-s.

Pas pesë garave, Evans kryeson me 101 pikë, para Katsuta dhe Pajari, ndërsa Ogier është i gjashti.

Gara e radhës zhvillohet në Portugali nga 7 deri më 10 maj.

TË FUNDIT