Përparësitë e Ferrarit në Suzuka
P

Përparësitë e Ferrarit në Suzuka

Ferrari shkon në Japoni me një optimizëm të kujdesshëm. Në një pistë si Suzuka, me 18 kthesa dhe ndryshime drejtimi, karakteristikat e SF-26 mund të bëhen një armë e fortë kundër Mercedesit.

Presidenti John Elkan, në letrën për aksionerët e “Exor”, theksoi: “Përgjegjësi dhe vendosmëri për t’u rikthyer më të fortë”, duke kujtuar se në Ferrari edhe gabimet janë pjesë e progresit. Megjithatë, skuadra vjen pas një periudhe të gjatë pa fitore, plot 30 gara, që nga Meksika 2024.

Sezoni ka nisur nën dominimin e Mercedesit, i cili ka avantazh në shpejtësinë në vijë të drejtë. Por Ferrari kundërpërgjigjet me një pikë të fortë: shpejtësinë në kthesa.

Vetë George Russell e ka cilësuar njëvendëshen SF-26 si makinën më të shpejtë në kthesa mes ekipeve kryesore, një avantazh që mund të bëjë diferencën në Suzuka. Një tjetër armë është nisja e fortë. Falë një turboje më të vogël, Ferrari ka reagim më të menjëhershëm në start, çka mund të jetë vendimtare në një pistë ku parakalimet janë të vështira.

Në fund, pritet edhe efekti i krahut të ri “macarena”, që ul rezistencën në vijë të drejtë dhe ndihmon në menaxhimin e energjisë, duke rritur lehtë shpejtësinë maksimale. A do të mjaftojë kjo për të mposhtur Mercedesin? Përgjigjja do të vijë në pistë, por në Maranelo kanë arsye për të besuar.

TË FUNDIT