Pilotët e MotoGP rrallë arrijnë të bien dakord për çështje të rëndësishme, dhe fundjava e garave në Barcelonë e konfirmoi sërish këtë. Edhe pse ekziston Komisioni i Sigurisë, takimet e tij muajt e fundit janë ndjekur nga shumë pak pilotë, në mbledhjen e fundit morën pjesë vetëm tre.
Mungesa e unitetit u pa qartë pas dy incidenteve të rënda në garën e Katalonjës, ku u lënduan Alex Marquez dhe Johann Zarco.
Pilotët kishin mendime të ndryshme edhe për vazhdimin e garës pas aksidenteve. Pedro Acosta dhe Jorge Martin ishin kundër rifillimeve pa informacione të qarta për gjendjen e pilotëve të lënduar, ndërsa shumica, përfshirë Joan Mir, Marco Bezzecchi dhe Fabio Di Giannantonio, theksuan se rreziku është pjesë e sportit.
Bagnaia u bëri thirrje kolegëve të jenë më të përgjegjshëm: “Ne jemi këtu për të vozitur në maksimum. Nuk marrim vendimet përfundimtare, por mund të ndikojmë në to. Komisioni i Sigurisë ekziston pikërisht për këtë. Shpresoj që herën tjetër më shumë pilotë të marrin pjesë”.
Sa i përket incidenteve, pilotët ranë dakord vetëm për një propozim: zhvendosjen e vijës së nisjes më afër kthesës së parë për të ulur shpejtësinë dhe rrezikun e aksidenteve të rënda.
Joan Mir shpjegoi se hyrja në kthesë me 200 km/h në vend të 300 km/h do të zvogëlonte ndjeshëm pasojat e përplasjeve. Ndërsa Fabio Di Giannantonio tha se turbulencat nga motorët e tjerë e bëjnë frenimin shumë më të vështirë.

Aerodinamika e motorëve modernë po e komplikon edhe më shumë situatën. Disa pilotë ankohen për “ajrin e pistë” pas motorëve të tjerë, që ndikon në frenim dhe kontroll.
Për sezonin 2027 janë paralajmëruar kufizime në aerodinamikë dhe ulje e kapacitetit të motorëve nga 1000cc në 850cc, me qëllim rritjen e sigurisë. Megjithatë, pilotët pranojnë se rreziku nuk mund të eliminohet plotësisht.
“Kjo është pjesë e garave,” përfundoi Marco Bezzecchi.



