Ish-inxhinieri i Ferrarit dhe Williamsit, Rob Smedley, paralajmëroi se pilotët që largohen nga ekipet më të forta të Formula 1 për t’u bërë pilotë kryesorë në skuadra më të dobëta, zakonisht nuk arrijnë më suksesin e mëparshëm. Ai iu referua Oscar Piastrit dhe spekulimeve se mund të kalojë te Red Bull për të zëvendësuar Max Verstappenin.
Në podkastin “High Performance Racing”, Smedley tha se kjo situatë ndodh shpesh me pilotët që mbeten në hijen e shokëve të skuadrës, siç i ndodhi Piastrit në duelin për titull me Lando Norrisin sezonin e kaluar.
“Nëse nuk mund ta mposhtësh shokun e skuadrës në një ekip të madh, a ka kuptim të shkosh te një ekip më i dobët vetëm për t’u bërë numri një?”, tha ai, duke shtuar se shumë pilotë kanë bërë këtë zgjedhje dhe rrallëherë ka përfunduar mirë.

Raportohet se Red Bull po e konsideron Piastrin si zëvendësues të mundshëm të Verstappenit në rast largimi të holandezit. Piastri ka kontratë me McLaren-in deri në fund të vitit 2027, por mund të tundohet nga roli i pilotit kryesor te Red Bull, ku partner do ta kishte Isack Hadjarin.
Verstappeni është i lidhur me Red Bull-in deri në vitin 2028, megjithatë kontrata e tij përmban klauzola që mund ta lejojnë të largohet më herët.



