Piloti britanik George Russell e përfundoi garën për Çmimin e Madh të Majamit në vendin e katërt, rezultat me të cilin nuk ishte i kënaqur.
Edhe pse Mercedes-AMG konsiderohet si skuadra më e fortë këtë sezon në Formula 1, Russell mbeti pa fitore për të tretën garë radhazi, pas triumfit në hapjen e sezonit në Australi.
“Ishte një garë e vështirë. Fillimi ishte në rregull, në xhirot e para isha në luftë, por me gomat e forta nuk isha askund. Në dhjetë xhirot e fundit pata disa ide dhe u bëmë shumë më konkurrues. Bëra ndryshime të mëdha në diferencial dhe në balancën e frenave dhe iu afrova më shumë asaj që kishte Kimi gjatë gjithë fundjavës, gjë që ndikoi më shumë se sa mendoja. Nuk ishte një fundjavë e mirë. E di që kjo pistë është e vështirë për mua. Testi i vërtetë do të jenë garat e ardhshme”, tha Russell për Sky Sports F1.
Russell aktualisht renditet i dyti në kampionat, 20 pikë pas të riut Kimi Antonelli, i cili ka fituar tri garat e fundit.

“Antonelli është një pilot fantastik dhe që nga dita e parë ka qenë shumë i shpejtë. Ka fituar gjithçka si i ri. Unë ende kam vetëbesim dhe kam qenë në atë situatë. Nuk kam harruar si të vozis. Thjesht është pak e vështirë, por kanë kaluar vetëm katër gara dhe sezoni është i gjatë”, shtoi Russell.
Gara e radhës zhvillohet pas një pauze trejavore, nga 22 deri më 24 maj, në pistën Circuit Gilles Villeneuve në Montreal.



