Oliver Solberg thotë se rikthimi në podium në Kampionatin Botëror të Rally-t (WRC) ishte një lehtësim i madh pas një periudhe të vështirë psikologjikisht dhe rezultateve zhgënjyese në garat e fundit.
Piloti i Toyota-s përfundoi i dyti në Rally Portugal, duke siguruar podiumin e parë që nga fitorja në Monte Carlo në janar. Rezultati erdhi pas problemeve mekanike në Kenia dhe aksidenteve të kushtueshme në Kroaci dhe Ishujt Kanarie, gara ku Solberg kishte treguar ritëm për fitore, por kishte mbetur me shumë pak pikë.
Portugezi u përball sërish me probleme gjatë fundjavës, duke pësuar dy shpime gomash, një të shtunën dhe një tjetër të dielën. Megjithatë, problemet e shokëve të skuadrës, Sebastien Ogier dhe Sami Pajari, i hapën rrugën Solberg-ut për t’u rikthyer në top-treshen e WRC-së.
“Jam shumë i lehtësuar. Gara ishte me ulje-ngritje, me shpime gomash dhe ndryshime pozicionesh gjatë gjithë kohës,” tha Solberg. “Pas dy rally-ve të vështira, ishte shumë mirë të rikthehesha në podium”.
24-vjeçari pranoi se Rally Portugal ishte një nga sfidat më të vështira mendore të karrierës së tij, pasi e dinte se nuk mund të përballonte një tjetër rezultat të dobët në luftën për titull.

“Ky rezultat ishte shumë i rëndësishëm mentalisht. Në Kroaci dhe Ishujt Kanarie pata gara shumë të forta, por fundi ishte zhgënjyes. Sidomos aksidenti në Kanarie më dhembi shumë, sepse po luftonim për fitore”, u shpreh ai.
Sfida e radhës për Solberg do të jetë rally-ja në Japoni në fund të muajit, gara e fundit e sezonit në asfalt.



