Shiu për ditë të tëra kërcënoi ta kthente pistën e Le Mans në një rrëshqitëse, por gara kryesore e Çmimit të Madh të Francës u zhvillua në asfalt të thatë. Në këto kushte dominuan plotësisht pilotët e Aprilia-s, të cilët zunë të tri vendet në podium, ndërsa heroi i ditës ishte Jorge Martin.
Spanjolli realizoi një rikthim spektakolar dhe triumfoi pas një ndjekjeje të jashtëzakonshme ndaj shokut të skuadrës dhe liderit aktual të kampionatit, Marco Bezzecchi. Ndryshe nga sprinti i së shtunës, Martin nuk pati nisje të mirë dhe mbeti në pozitën e shtatë, ndërsa Bezzecchi kaloi menjëherë në krye dhe diktoi ritmin e garës.
Gara u karakterizua nga shumë incidente, ku jashtë piste përfunduan emra të njohur si Alex Marquez, Joan Mir, Jack Miller dhe Francesco Bagnaia, i cili nuk arriti ta shfrytëzonte pole-positionin.
Ndërkohë, Martin nisi një rikthim të fuqishëm xhiro pas xhiro. Vetëm tri xhiro para fundit ai realizoi manovrën vendimtare, duke kaluar Bezzecchi-n në një kthesë ku askush nuk e priste sulmin. Pas marrjes së kreut, ai nuk e lëshoi më deri në flamurin e fundit.
🤯 @peccobagnaia HAS LOST THE FRONT
A podium slips away for the Italian 💥#FrenchGP 🇫🇷 pic.twitter.com/sDUXPcz7Uz
— MotoGP™🏁 (@MotoGP) May 10, 2026
Bezzecchi u detyrua të mbrohej nga sulmet e Ai Ogura, një tjetër pilot i Aprilia-s, por japonezi nuk pati forcë për sulmin final. Kështu, podiumi përfundimtar ishte: Martin, Bezzecchi dhe Ogura.
Pas tyre në cak mbërritën Di Giannantonio, Acosta, Quartararo dhe Bastianini. Pavarësisht humbjes në fund, Bezzecchi mbetet lider i renditjes së përgjithshme, por tani ka vetëm një pikë avantazh ndaj Martin-it (128 me 127).



