Tri garat e para, në tri disiplina të ndryshme, janë sinjal i qartë për një kampionat të suksesshëm në auto sportin e Kosovës.
Gjithçka nisi më 26 prill në Ferizaj me garën në auto sllallom. AK Ferizaj pati një organizim shumë të mirë, ndërsa 54 garues që u paraqitën në shteg i dhanë rëndësi të veçantë kësaj gare, pasi një numër kaq i madh në auto sllallom nuk ishte shënuar një kohë të gjatë.

Në fundjavën e radhës, më 2 e 3 maj, Eurogoma Racing Team ishte organizatore e Drag Race 1, garë në të cilën u arrit numër rekord i pjesëmarrësve. Plot 129 garues ishin në pistë ku për dy ditë me radhë dashamirët e auto sportit përjetuan kënaqësi, adrenalinë, rivalitet sportiv dhe në fund fitues të merituar.

Në karting, disiplinë që dukej si e “dorës së dytë”, në fundjavën që shkoi (10 maj) u rikthye me një garë mjaft të mirë, organizuar në Gjilan nga Spirit Karting Kosova. Në pistën F1 GoKart ishin 26 pjesëmarrës në garë, si një paralajmërim i qartë për gara tjera interesante.
Në tri garat e deritashme, kontribut të madh dha edhe stafi i FASK-ut.

Ndërkohë, garuesit tanë ishin të pranishëm edhe në arenën ndërkombëtare.
Valdet Kaçandolli po e vazhdon aventurën në Kampionatin Evropian. Të dielën ai u rendit i treti në Grupin 3 në Subida Al Fito të Spanjës, ndërsa Rion Tytynxhiu e Diar Islami u përfaqësuan me sukses në FIA Karting Academy Trophy, garë që u mbajt në Valencia.




