Katër herë kampioni i botës Max Verstappen kurrë nuk e ka fshehur mosdurimin e tij ndaj mediave britanike në Formula 1, të cilat ai i konsideron si të njëanshme kundër tij.
Pavarësisht kësaj, piloti i Red Bull-it rrallë ka ndërmarrë veprime konkrete, por sot ndodhi ndryshe gjatë konferencës së tij për shtyp para Çmimit të Madh të Japonisë. Holandezi praktikisht e nxori reporterin e “The Guardian”, Giles Richards, nga salla, duke thënë se “nuk do të flasë derisa ai të largohet nga dhoma”.
Sipas burimeve të informuara mirë, ky veprim i Verstappenit u shkaktua nga një pyetje që Richards i kishte bërë pas përfundimit të Çmimit të Madh të Abu Dabit vitin e kaluar. Atëherë Verstappen fitoi në “Yas Marina”, por nuk arriti të siguronte titullin e tij të pestë radhazi, duke përfunduar me dy pikë më pak se Lando Norris.
Gjatë konferencës për shtyp, Richards e pyeti Verstappenin nëse pendohej për përplasjen me George Russell në Çmimin e Madh të Spanjës, e cila i solli një penalizim prej 10 sekondash dhe rezultoi me humbjen e pesë pozicioneve në fund të garës në Barcelonë. Ato pesë vende i kushtuan Verstappenit gjithsej nëntë pikë, me të cilat përndryshe do të ishte kampion, por kjo pyetje e zemëroi dukshëm holandezin, i cili theksoi se titulli fitohet gjatë gjithë sezonit.

“Po harroni gjithçka tjetër që ndodhi gjatë sezonit. Vetëm Barcelonën përmendni. E dija që kjo pyetje do të vinte. Tani po më bëni idiot. Nuk e di. Po, në fund të fundit, kjo është pjesë e garave. Jetojmë dhe mësojmë. Kampionati fitohet në të gjitha 24 garat. Në gjysmën e dytë të sezonit pata edhe shumë ‘dhurata të hershme të Krishtlindjeve’, kështu që edhe kjo mund të vihet në diskutim”!
Kjo nuk është hera e parë që Verstappen përballet me mediat britanike. Në Austin në vitin 2022, holandezi dhe skuadra Red Bull shpallën bojkot ndaj Sky Sports F1 për shkak të deklaratave të Ted Kravitz në lidhje me Verstappenin pas titujve të fituar në 2021 dhe 2022.



